Ciprofloxacin Axapharm (tableta) Reviewed by Momizat on . Ciprofloxacin Axapharm (tableta) Informacion për pacientë Lexoni me kujdes informacionin në fletëpalosje përpara se të përdorni preparatin mjekësor. Ky preparat Ciprofloxacin Axapharm (tableta) Informacion për pacientë Lexoni me kujdes informacionin në fletëpalosje përpara se të përdorni preparatin mjekësor. Ky preparat Rating: 0
You Are Here: Home » C » Ciprofloxacin Axapharm (tableta)

Ciprofloxacin Axapharm (tableta)

Ciprofloxacin Axapharm (tableta)

Ciprofloxacin Axapharm

Informacion për pacientë

  • Lexoni me kujdes informacionin në fletëpalosje përpara se të përdorni preparatin mjekësor.
  • Ky preparat mjekësor ju është dhënë juve personalisht dhe ju nuk duhet t’ia jepni personave të tjerë.
  • Edhe nëse personat e tjerë mund të kenë të njëjta simptoma sëmundjeje si ju, një preparat i tillë mund t’u shkaktojë atyre dëmtime.

Çfarë është Ciprofloxacin Axapharm dhe kur përdoret?
Ciprofloxacin Axapharm është një ilaç për trajtimin e sëmundjeve infektive bakteriale.
Ciprofloxacin Axapharm është një antibiotik dhe bën pjesë në grupin e kinoloneve dhe ka ndikim antibakterial kundër një numri të madh të llojeve të baktereve.

Ciprofloxacin Axapharm përdoret për trajtimin e sëmundjeve infektive si:

  • Infeksione të traktit të frymëmarrjes;
  • Infeksione të fytit, të hundës dhe të veshëve;
  • Infeksione të gojës, të dhëmbëve dhe të nofullës;
  • Infeksione të veshkave dhe të traktit urinar;
  • Infeksione të organeve gjenitale;
  • Infeksione në gjinekologji dhe në obstetrikë;
  • Infeksione të traktit të stomakut dhe të zorrëve;
  • Infeksione të abdomenit, përfshirë edhe të legenit të vogël;
  • Infeksione të lëkurës dhe të pjesëve të buta;
  • Infeksione të eshtrave dhe të nyjave.

Tek antraksi
Për parandalimin dhe për trajtimin e antraksit pas inhalimit të bacileve të antraksit (Bacillus anthracis).
Efikasiteti i ciprofloksacinës tek antraksi u dëshmua përmes eksperimenteve me kafshë.
Ciprofloxacin Axapharm duhet të përdoret vetëm me recetë dhe nën kontrollin e përhershëm të mjekut.

Çfarë duhet të vihet re gjatë kësaj?
Këtë ilaç ua ka dhënë mjeku juaj me recetë për trajtimin e sëmundjes suaj aktuale.
Antibiotiku në Ciprofloxacin Axapharm nuk është efikas kundër të gjithë organizmave që shkaktojnë sëmundje infektive.
Përdorimi i një antibiotiku, të zgjedhur gabimisht apo të dozuar jo si duhet, mund të shkaktojë komplikime.
Prandaj mos e përdorni asnjëherë vetvetiu për trajtimin e sëmundjeve të tjera apo për trajtimin e personave të tjerë.

Kur nuk duhet të përdoret Ciprofloxacin Axapharm?
Pacientët përkatësisht pacientet me alergji ndaj Ciprofloxacin Axapharm apo ilaçeve të ngjashme (të pyetet mjeku apo farmacisti) nuk duhet të përdorin Ciprofloxacin Axapharm.
Fëmijët dhe të rinjtë: Fëmijët dhe të rinjtë në periudhën e rritjes nuk duhet ta marrin Ciprofloxacin Axapharm.
Një përjashtim bën trajtimi i shpërthimeve akute të infeksionit tek pacientët përkatësisht pacientet me fibrozë cistike (çrregullim i trashëgueshëm i metabolizmit me prodhim të shtuar dhe trashësi të rritur të sekrecionit të gjëndrave në bronke dhe në traktin e tretjes) si dhe me antraks.

Kur është i nevojshëm kujdesi tek përdorimi i Ciprofloxacin Axapharm?
Ky ilaç mund të pengojë aftësinë e reagimit, aftësinë e drejtimit të automjeteve dhe aftësinë e përdorimit të veglave dhe të makinave.
Kjo vlen në masë të shtuar në bashkëveprim me alkoolin.
Gjatë trajtimit me Ciprofloxacin Axapharm duhet pasur kujdes për marrje të mjaftueshme të lëngjeve, ngaqë përndryshe mund të vijë tek kristalizimi i substancës aktive të urinë.
Nëse funksioni i veshkave është i kufizuar, atëherë nën rrethana të caktuara duhet të përshtatet dozimi. Mjeku juaj është i informuar për këtë.
Pacientët me sëmundje të njohura të trurit, posaçërisht me epilepsi ose çrregullim të qarkullimit të gjakut në tru, duhet të marrin Ciprofloxacin Axapharm vetëm nëse njëkohësisht zhvillohet një trajtim kundër sulmeve cerebrale.
Gjatë trajtimit me Ciprofloxacin Axapharm do të duhej të shmanget rrezatimi i tepruar në diell (ekspozimi i rrezeve të diellit), sepse tek pacientët e ndjeshëm mund të ketë një skuqje apo pezmatim i pakëndshëm i lëkurës (fotosenzitivitet).
Në raste të rralla ciprofloksacina mund të shkaktojë reaksione alergjike ndaj dritës.
Këta pacientë duhet të shmangin që gjatë terapisë me ciprofloksacinë t’i ekspozohen për një kohë të gjatë dritës së diellit.
Nëse kjo nuk është e mundshme, duhet të përdoret një krem mbrojtës kundër rrezeve të diellit me faktor të lartë mbrojtës kundër dritës dhe të vishen rroba mbuluese për krahë, këmbë, eventualisht një kapelë për fytyrë.
Marrja e njëkohshme e ilaçeve që përmbajnë hekur dhe e ilaçeve kundër acidozës së stomakut, të cilat përmbajnë kalcium, hidroksid alumini ose hidroksid magnezi, duhet të shmanget, sepse zvogëlohet ndikimi i Ciprofloxacin Axapharm.
E njëjta gjë vlen edhe për sukralfatit që përmban alumin, e që është një substancë tjetër kundër ulçerës. Ciprofloxacin Axapharm duhet të përdoret ose 1-2 orë para ose së paku 4 orë pas këtyre ilaçeve, ashtu që të sigurohet një kalim i mjaftueshëm në trup.
Gjatë marrjes së njëkohshme të antikoagulantëve (varfarina), preparateve të teofilinës (ilaçe kundër astmës, emri i substancës edhe aminofilinë) informoni mjekun tuaj.
Ndikimet anësore të varfarinës dhe teofilinës mund të forcohen nën rrethana të caktuara.
Metoklopramidi (ilaç kundër sëmundjeve të traktit gastrointestinal) përshpejton pranimin e ciprofloksacinës, por kjo është megjithatë e parëndësishme për ndikimin e këtij antibiotiku.
Gjatë marrjes së njëkohshme të ilaçit kundër diabetit glibenklamid në raste individuale mund të rritet ndikimi i tij e që mund të sjellë deri tek një hipoglikemi.
Gjatë marrjes së njëkohshme të ciprofloksacinës dhe metotreksatiit, një substancë që në një qelizë bllokon disa mekanizma kimikë dhe pengon rritjen e qelizave specifike, mund të jetë i rritur efikasiteti i metotreksatit, që kushtëzon mbikëqyrje të kujdesshme të terapisë.
Informojeni mjekun apo farmacistin tuaj, nëse vuani nga sëmundje të tjera, nëse keni alergji apo merrni apo përdorni nga jashtë ilaçe të tjera (edhe të blera vetë!).

A duhet të përdoret Ciprofloxacin Axapharm gjatë shtatzënisë apo në kohën e dhënies së gjirit?
Ciprofloxacin Axapharm nuk duhet të merret gjatë shtatzënisë dhe dhënies së gjirit.
Përjashtim: antraksi.

Si ta përdorni Ciprofloxacin Axapharm?
Mjeku juaj përcakton dozimin dhe kohëzgjatjen e trajtimit.
Vetëm nëse iu përmbahet rreptë dispozitave mund të arrihet dobia më e madhe e mundshme e Ciprofloxacin Axapharm.
Mos e ndërpritni terapinë para kohe, edhe atëherë kur e ndjeni veten më mirë.
Sepse shpeshherë shenjat e sëmundjes kalojnë para shërimit të plotë të infeksionit.
Një kohëzgjatje e pamjaftueshme e përdorimit ose një përfundim i parakohshëm i trajtimit mund të ketë si pasojë një shpërthim të ri të sëmundjes.
Tabletat e Ciproflaxin Axapharm duhet të merren më së miri në stomak të zbrazët me pak lëngje.
Varësisht nga shkalla e sëmundjes, nga ndjeshmëria e shkaktarit dhe nga vendi i infeksionit, mjeku juaj do t’ju udhëzojë njërën nga dozimet vijuese:
Doza individuale/ditore tek të rriturit
Infeksioni i thjeshtë i traktit të lartë dhe të poshtëm urinar: 2 x 250 mg.
Infeksioni i rëndë i traktit urinar (varësisht nga shkalla e peshës): 2 x 250 mg deri 2 x 500 mg.
Infeksioni i traktit respirator (p.sh. bronkiti): 2 x 250 mg deri 2 x 500 mg.
Infeksione të tjera (krahaso indikacionet): 2 x 500 mg.
Infeksione të rënda (p.sh. infeksione të eshtrave, infeksione të traktit respirator, tek mukoviscidoza = fibroza cistike): 2 x 750 mg.
Tek fëmijët dhe të rinjtë (5-17 vjeç) me fibrozë cistike dozimi i preferuar gjatë shpërthimeve akute të infeksionit arrin 2 x 20 mg ciprofloksacinë për çdo kilogram të peshës trupore, e shpërndarë në dy doza të veçanta në distancë 12 orëshe.
Doza ditore nuk duhet të tejkalonte 2 x 750 mg.
Kohëzgjatja e preferuar e trajtimit zgjat 10-14 ditë.
Nuk ekzistojnë përvoja për dozim tek fëmijët me funksion të kufizuar të veshkave përkatësisht të mëlçisë.
Tek gonorea akute, jo e komplikuar (blenorragjia) e mashkullit mjafton një dozë e njëhershme prej 250 mg, nëse është e prekur vetëm uretra.
Nëse tek gonorea ankesat (derdhja etj.) nuk zhduken brenda disa ditëve, duhet të shkohet në ekzaminim kontrollues tek mjeku, para së gjithash për ta përjashtuar një infeksion përcjellës përmes shkaktarëve, të cilët nuk janë marrë parasysh gjatë dhënies së dozës së njëhershme.

Tek antraksi
Trajtimi duhet të fillonte menjëherë pas inhalimit të supozuar apo të vërtetuar të shkaktarëve të antraksit.
Parandalimi ose terapia e antraksit fillohet zakonisht me ciprofloksacinë si tretësirë infuzioni. Varësisht nga rrjedha e sëmundjes pas kësaj mund të kalohet në tableta të ciprofloksacinës.
Të rriturit: 2 x në ditë 1 tabletë Ciprofloxacin Axapharm nga 500 mg.
Fëmijët: 2 x në ditë 15 mg/kg të peshës trupore.
Doza maksimale individuale tek fëmijët nuk do të duhej të tejkalojë 500 mg.
Kohëzgjatja e trajtimit: 60 ditë gjatë parandalimit dhe për trajtimin e infeksionit pas inhalimit të shkaktarëve të antraksit.
Mos e ndryshoni vetvetiu dozimin e udhëzuar.
Nëse besoni se ilaçi po ndikon tepër dobët apo tepër fortë, atëherë flisni me mjekun apo farmacistin tuaj.

Cilat efekte anësore mund t’i ketë Ciprofloxacin Axapharm?
Gjatë marrjes së Ciprofloxacin Axapharm mund të shfaqen këto efekte anësore:
Ankesa të traktit të stomakut dhe zorrëve si dhimbje të stomakut, pështjelli, vjellje, diarre, çrregullime të tretjes, fryrje ose mungesë e oreksit.
Shumë rrallë: pezmatimi i pankreasit.
Në rast të shfaqjes së diarresë së rëndë dhe të vazhdueshme gjatë apo pas trajtimit, do të duhej ta pyetni menjëherë mjekun apo farmacistin tuaj.
Çrregullimet e sistemit qendror nervor si marramendje, dhimbje koke, lodhje, pagjumësi, shqetësim ose dridhje.
Shumë rrallë u vërejtën përpëlitje, çrregullime perifere të ndjenjës, ndjeshmëri e rritur ose e zvogëluar e ngacmimeve prekëse, ngërçe të muskujve, dhimbje të këmbëve, të kurrizit dhe të gjoksit, anksiozitet, ankthe, hutim, depresion, djersitje, haluçinacione, çrregullime në pamje (pamje të dyfishta, pamje me ngjyra), pasiguri në ecje, sulme të ngërçeve, çrregullime të shijimit dhe të nuhatjes.
Reaksione të lëkurës si rrebulli i lëkurës, edhe në lidhje me ndikimin e fortë të diellit.
Shumë rrallë: reaksione alergjike që paraqiten menjëherë, kruajtje, urtikarie, ënjtje të fytyrës dhe të gurmazit, çrregullime të frymëmarrjes, temperaturë.
Pjesërisht mund të shfaqet një shok i rrezikshëm që pas marrjes së parë.
Në rastet e tilla duhet menjëherë të ndërpritet Ciprofloxacin Axapharm, është i nevojshëm trajtimi mjekësor (p.sh. shok-terapia).
Shumë rrallë u raportua për ankesa nyjave, dhimbje të muskujve, tenosinoviti, ndjenjë e përgjithshme e dobësisë, rrahje e zemrës, migrenë, vërshime të vapës, ngjyrosje e errët e lëkurës, hemorragjitë e lëkurës në formë pikash, krijimi i flluskave me gjak, nyjëza të vogla, nyjëza të vogla me krijim të kores si shprehje të pjesëmarrjes së enëve të gjakut, pezmatimi i veshkave dhe i mëlçisë, shkatërrimi i epitelit të mëlçisë.
Informoni mjekun apo farmacistin tuaj, nëse vëreni simptome të tilla.
Nëse vëreni ndikime anësore që nuk janë përshkruar këtu, do të duhej ta informoni menjëherë mjekun apo farmacistin tuaj.

Çfarë duhet të vini re përveç kësaj?
Ilaçi duhet të ruhet në paketimin origjinal në temperaturë dhome (15-25°C) dhe në vende që nuk mund të arrihet nga fëmijët.
Ilaçi duhet të përdoret vetëm deri në datën e shënuar në paketim me “EXP.”.
Pas përfundimit të trajtimit ilaçi me përmbajtjen e mbetur të kthehet në vendin tuaj të dorëzimit (mjeku apo farmacisti) që të zhduket në mënyrë profesionale.
Informacione të mëtejme ju jep mjeku apo farmacisti juaj.
Këta persona kanë informacione të hollësishme profesionale.

Çfarë përmban Ciprofloxacin Axapharm?
1 tabletë filmi Ciprofloxacin Axapharm 250 mg përmban 250 mg ciprofloksacinë dhe substanca ndihmëse.
1 tabletë filmi Ciprofloxacin Axapharm 500 mg përmban 500 mg ciprofloksacinë dhe substanca ndihmëse.
1 tabletë filmi Ciprofloxacin Axapharm 750 mg përmban 750 mg ciprofloksacinë dhe substanca ndihmëse.

Ku mund ta merrni Ciprofloxacin Axapharm?
Cilat paketime ekzistojnë?
Në farmaci me recetë të mjekut që ju jep të drejtën për ta blerë vetëm një herë.
Tableta filmi nga 250 mg: paketime me 10 dhe 20.
Tableta filmi nga 500 mg: paketime me 10 dhe 20.
Tableta filmi nga 750 mg: paketime me 20.

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top