Coffergamin 1 / 100 mg Reviewed by Momizat on . Coffergamin 1 / 100 mg   tableta të veshura me film Ergotamine tartrate / Caffeine Informacion për pacientin Lexojeni me vëmendje tërë informacionin për pacient Coffergamin 1 / 100 mg   tableta të veshura me film Ergotamine tartrate / Caffeine Informacion për pacientin Lexojeni me vëmendje tërë informacionin për pacient Rating: 0
You Are Here: Home » C » Coffergamin 1 / 100 mg

Coffergamin 1 / 100 mg

Coffergamin 1 / 100 mg  

coffergamin

tableta të veshura me film Ergotamine tartrate / Caffeine

Informacion për pacientin
Lexojeni me vëmendje tërë informacionin për pacientin para se të filloni marrjen e medikamentit.

  • Ruani këtë fletë me informacion. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
  • Nëse keni ndonjë pyetje suplementare drejtohuni mjekut tuaj ose farmacistit.
  • Ky medikament u është rekomanduar juve personalisht. Mos ua jepni personave të tjerë. Ai mund të jetë i dëmshëm për ta, pavarësisht se kanë simptoma të njëjta me ju.
  • Nëse ndonjë prej reaksioneve të padëshirueshme medikamentoze bëhet serioze ose vini re të tjera që nuk janë përshkruar në këtë fletë me informacion, ju lutemi njoftoni mjekun tuaj ose farmacistin.

Në këtë fletë me informacion:

1. Çfarë është Coffergamin dhe për çfarë përdoret.
2. Përpara se të filloni marrjen e Coffergamin.
3. Si ta merrni Coffergamin.
4. Reaksionet e mundshme të padëshirueshme.
5. Ruajtja e Coffergamin.
6. Informacioni suplementar.

1. ÇFARË ËSHTË COFFERGAMIN DHE PËR ÇFARË PËRDORET.
Coffergamin është një produkt mjekësor i kombinuar që i përket grupit të të ashtuquajturve medikamente antimigrenoze.
Ergotamina ndikon mbi dhimbjen migrenoze të kokës nëpërmjet ndryshimit në tonuset e enëve të trurit, duke shkaktuar ngushtimin e tyre dhe eliminimin e dhimbjeve, me origjinë nga receptorët shqisor në murin e enëve dhe të cilët ndikohen nga zgjerimi i tij.
Kafeina ndihmon për forcimin e efektit të ergotaminës.
Coffergamin përdoret për parandalimin dhe mjekimin e krizave të dhimbjes migrenoze dhe dhimbjeve të tipit migrenoz ( histaminik ) të kokës.

2. PËRPARA SE TË FILLONI MARRJEN E COFFERGAMIN

Mos përdorni Coffergamin:

  • nëse keni alergji ( mbindjeshmëri ) ndaj ndonjë prej substancave aktive ose ndihmëse të produktit;
  • në insuficiencë koronare;
  • në çrregullime periferike të qarkullimit të gjakut;
  • nëse keni hipertoni (presion të lartë të gjakut);
  • në insuficiencë të rëndë të mëiçisë dhe të veshkave;
  • në sepsis dhe infeksione të tjera të rënda;
  • njëkohësisht me disa produkte mjekësore (antibiotikë makrolidë, inhibitorë proteazikë, antimikotikë azol);
  • njëkohësisht me medikamente të tjera enëngushtuese (përfshi alkaloidet ergotaminikë, beta-bllokues, simpatikomimetikë, sumatriptan dhe agonistë të tjerë 5HT1- të receptorëve );
  • në kohën e shtatzënisë dhe ushqyerjes së fëmijës me gji.

Përkujdesjet gjatë përdorimit të Coffergamin
Gjatë mjekimit të migrenës Coffergamin është efikas kur merret në periudhën e shenjave të para të krizës migrenoze.
Nuk është i përshtatshëm për mjekim në intervalin ndërmjet krizave migrenoze.
Duhet të ndiqet për shfaqje eventuale të çrregullimeve në qarkullimin periferik të gjakut, që imponon ndërprerjen e mjekimit.
Kur krizat migrenoze janë më të shpeshta se 2 herë në muaj, rekomandohet edhe aplikimi i produkteve të tjera antimigrenoze.
Aplikimi i ergotaminës më shpesh se 2 – 3 herë në javë jo rrallë shkakton vartësi medikamentoze dhe dhimbje koke prej ergotaminës.
Në lidhje me zhvillimin kronik të sëmundjes, pacientët duhet të dinë se nuk duhet të zgjatin kursin terapeutik për të parandaluar nga shfaqja e ergotizmit ( ngushtim i theksuar i enëve periferike, që çon në shfaqjen e simptomave të insufiçiencës së enëve periferike — dhimbje të gjymtyrëve, kaltërim, gangrenë ).
Të aplikohet me kujdes në pacientë me funksion të rritur të tiroidës, për shkak të rrezikut të zhvillimit të ergotizmit.
Të aplikohet me kujdes në pacientë me pagjumësi kronike, me shfaqje të shqetësimit, konfuzionit, frikës si edhe tek ata që janë në moshë mbi 60 vjeç.
Përdorimi për një kohë të gjatë i çdo lloj medikamentesh analgjezike për dhimbjen e kokës mund të çojë në gjendje më të rënda.
Nëse kjo është vërtetuar ose supozohet, duhet të kërkohet konsultim me mjekun dhe mjekimi të ndërpritet.
Diagnoza për dhimbjen e kokës për shkak të mbidozimit të medikamenteve analgjezike mund të jepet për pacientë që kanë shpesh herë ose çdo ditë dhimbje të kokës me gjithë ( ose për shkak ) të përdorimit të rregullt të barnave kundër dhimbjes së kokës.

Marrja e medikamenteve të tjera
Ju lutemi, informoni mjekun tuaj ose farmacistin, nëse merrni ose keni marrë para pak kohe medikamente të tjera, përfshi edhe ato që jepen pa recetë.
Coffergamin nuk duhet të merret bashkë me produkte të tjera mjekësore që ngushtojnë enët e gjakut, për shkak të forcimit të efektit të tyre.
Kur aplikohet bashkë me disa medikamente ( si inhibitorë enzimësh, antimikotikë azol, antibiotikë makrolidë ) rritet rreziku i ngushtimit të enëve dhe i çrregullimeve në furnizimin e gjymtyrëve me gjak; me beta – bllokuesit dhe triptanët gjithashtu mund të shkaktohen reaksione të ngjashme; me simpatikomimetikët mund të provokohet rritje e fortë e presionit arteror; me stimuluesit e sistemit nervor qëndror mund të arrihet në irritim, pagjumësi, aritmi; me inhibitorët – MAO – takikardi, rritje të madhe të presionit arteror; me fluorohinolonët pengohet metabolizimi i kafeinës dhe rritet përqëndrimi i saj. Mund të pakësohet efekti enëzgjerues i nitroglicerinës.
Tek pirësit e duhanit shtohet rreziku i dëmtimit të furnizimit me gjak të gjymtyrëve.
Pirja e alkoolit në kohen e mjekimit mund të rritë dhimbjen e kokës dhe simptomatikën migrenoze.

Marrja e Coffergamin me ushqime dhe pije
Nuk ka të dhëna për nevojën e një regjimi të posaçëm ushqimor ose për kufizime të llojeve të caktuara ushqimesh dhe pijesh në kohën e mjekimit me këtë produkt.

Shtatzënia dhe ushqyerja e fëmijës me gji
Përpara marrjes së çfarëdo medikamenti konsultoheni me mjekun tuaj ose me farmacistin.
Coffergamin nuk përdoret në kohën e shtatzënisë dhe në periudhën e ushqyerjes së fëmijës me gji.
Tek gratë shtatzëna ka rrezik për dëmtimin e fetusit.
Kafeina ekskretohen në sasi të vogla në qumështin e nënës, por mund të çojë në irritim, pagjumësi dhe shenjave të tjera të stimulimit të kafienës tek foshnja.
Ergotamina gjithashtu ekskretohet në qumështin e nënës dhe mund të shkaktojë të vjella, diarre, puls të ngadalësuar dhe presion jostabil arteror tek foshnja.

Drejtimi i automjeteve dhe puna me makina
Marrje mendsh dhe ndjesi shqetësimi ( dridhje, djersitje etj ) janë raportuar nga disa pacientë që janë mjekuar me ergotaminë, për këtë arsye pacientë të tillë duhet të përmbahen nga drejtimi i automjetit, nga puna me makina dhe kryerja e veprimtarive, që kërkojnë përqëndrim dhe reaksione të shpejta psikike dhe motorike.

Informacioni i rëndësishëm për disa prej substancave të Coffergamin
Ky produkt mjekësor përmban si substancë ndihmëse laktozë (sheqer qumështi), që e bën të papërshtatshëm për pacientë me intolerancë ndaj laktozës.
Për shkak të pranisë së niseshtesë së grurit në përbërjen e tij të mos aplikohet në njerëz me enteropati glutenike ( sëmundje e lindur e zorrëve të holla, që shfaqet me diarre gjatë përdorimit të produkteve prej gruri ).

3. SI TA MERRNI COFERGAMIN
Aplikoni gjithmonë Coffergamin saktë sipas instruksioneve në këtë fletë me informacion për pacientin.
Nëse nuk jeni të sigurt për diçka e pyesni mjekun tuaj ose farmacistin!
Merret nga goja me pak lëngje.

Dozat e zakonshme:
Të rriturit: Në rast të shenjave të krizës së ardhshme ose në fillim të krizës migrenoze merren 2 tableta.
Nëse kriza nuk ndikohet, në interval prej 1 / 2 orë merret nga 1 tabletë deri në maksimum 6 tableta në ditë.
Doza e njëhershme nuk duhet të tejkalojë 4 tableta.
Doza maksimale javore është 10 tableta.
Fëmijët: Ky produkt nuk rekomandohet për fëmijë.
Nuk është vërtetuar siguria dhe efektiviteti i produktit tek ata.

Nëse keni marrë më shumë se doza e nevojshme e Coffergamin
Nëse keni marrë një dozë më të lartë nga ajo e rekomanduar, menjëherë drejtohuni për ndihmë mjekut!
Shfaqjet toksike në rast mbidozimi me Coffergamin shkaktohen nga ergotamina.
Sasia e kafeinës është e tillë, që shenjat e mbidozimit me të mbeten të fshehura prapa atyre të ergotaminës.
Mund të vihen re dise prej këtyre simptomave: të përziera; të vjella; mpirje, dhimbje dhe kaltërim i gjymtyrëve; puls i ngadalësuar ose i pandjeshëm; presion i lartë ose i ulët i gjakut; trullosje; deprimim i frymëmarrjes, konvulsione, shok, koma.
Mjekimi – masa për pakësimin e rezorbimit të preparatit në organizëm dhe për eliminimin e tij ( provokim i vjelljes, lavazh i stomakut me karbon aktiv, purgativë ).
Është e nevojshme të mbahet funksioni i frymëmarrjes dhe i sistemit të zemrës dhe enëve të gjakut.

Nëse keni harruar ta merrni Coffergamin
Nëse keni harruar të merrni medikamentin në kohën e dukur, e merrni në kohën tjetër të rregullt pa e rritur dozën.
Nëse keni pyetje suplementare lidhur me përdorimin e këtij produkti, ju lutemi drejtohuni mjekut tuaj ose farmacistit.

4. REAKSIONET E MUNDSHME TË PADËSHIRUESHME
Si çdo medikament tjetër Coffergamin mund të shkaktojë reaksione të padëshirueshme, me gjithë se ato nuk shfaqen tek secili.
Reaksionet e padëshirueshme medikamentoze lidhur me aplikimin e Coffergamin janë shkaktuar kryesisht nga substance ergotaminë.
Tek dise pacientë mund të vihen re këto reaksione:
Të shpeshta ( 10 % – 1 % ): të përziera, të vjella ( nuk është lidhur me migrenën ), dhimbje barkore dhe marrje mendsh.
Jo të shpeshta ( 1 % – 0.1 % ): parestezi, mpirje, ndjeshmëri të ulur, kaltërim, dhimbje dhe dobësi në gjymtyrët, diarre.
Të rralla ( 0.1 %-0.01 % ): reaksione alergjike ( puçrra në lëkurë, ënjtje e fytyrës, urtikarie dhe frymëzenie, marrje mendsh, ngadalësim ose shpeshtim i pulsit, rritje e presionit të gjakut, dhimbje muskulore, puls i ngadalësuar ose i pandjeshëm, ergotizëm ( ngushtim i theksuar i enëve periferike, që çon në shfaqjen e simptomave të insuficiencës së enëve periferike ).
Janë raportuar raste të rralla të çrregullimit në furnizimin e zorrëve të holla me gjak, lidhur me aplikimin kronik ose me mbidozimin me produkte që përmbajnë ergotaminë.
Rrallë herë mund të provokohet dhimbja koke që i detyrohet mbidozimit kronik ose ndërprerjes së shpejtë të mjekimit.
Shumë të rralla ( më pak se 0.01 % ): dhimbje në zonën e zemrës, për shkak të çrregullimit në furnizimin me gjak të muskulit kardiak, infarkt i miokardit dhe gangrenë.
Përdorimi i tepërt i produkteve që përmbajnë ergotaminë për një periudhë të gjatë mund të shkaktojë ndryshime fibroze ( ngjitje indesh ) në pleura dhe peritoneum.
Ka raportime për raste të rralla të fibrozimit të valvolave kardiake.
Nëse ndonjë prej reaksioneve të padëshirueshme bëhet serioze ose vini re të tjera që nuk janë përshkruar në këtë fletë me informacion për pacientin, Ju lutemi informoni mjekun tuaj ose farmacistin.

5. RUAJTJA
Ruhet në vend të sigurt, larg fëmijëve!
Në temperaturë nën 25°C.
Afati i skadimit: 3 vjet nga data e prodhimit.
Mos e përdorni Coffergamin pas skadimit të afatit të shënuar mbi paketimin prej kartoni.

6. INFORMACIONI SUPLEMENTAR
Çfarë përmban Coffergamin:
- Substancat aktive në një tableta të veshura me film janë: Ergotamine tartrate 1,0 mg, Caffeine 100,0 mg
- Substancat e tjera janë: hidroksipropilcelulozë, laktozë monohidrate, niseshte gruri, talk, stearat magnezi, glikolat natriumi niseshteje, krospovidon, bashkëpolimer i acidit metakrilik-metakrilat ( 1 : 1), dioksid titani, ngjyrues E 155, makrogol 6000.

Si duket Coffergamin dhe çfarë përfshin paketimi
Coffergamin tableta të veshura me film ofrohet të paketuar në blister nga 10 tableta të veshura me film, 2 blistera në kuti kartoni.

Tags: , , , , , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top